Konflikti për kromin dhe borxhi 1 milionë USD, pse u vra Iliaz Çali
Etleva Delia
Pak orë pas ekzekutimit të 37-vjeçarit Iiaz Çali në autostradën Tiranë – Durrës, Policia e Tiranës ka ngritur pistat e para të hetimit. Nisur nga dëshmitë e familjarëve të viktimës, veprimet hetimore duket se janë përqendruar në dy konflikte që ai ka pasur për shitjen dhe një galeri kromi. Madje, familjaret e Çalit kanë dhënë dy emra personash, që sipas tyre janë të dyshuar për krimin. Sipas tyre, Iliaz Çali kishte konflikt me shtetasit me iniciale Rr.D. dhe I.C. Burimet thanë se i pari, Rr.D., i kishte një borxh prej afro 1 milionë dollarësh viktimës, për një sasi kromi prej 2400 tonësh. Ky borxh është mbartur prej 3 vitesh dhe personi në fjalë nuk ka bërë asnjë tentativë për t’ia kthyer Çalit. Madje kohët e fundit, viktima ka pasur debate të vazhdueshme, duke i kërkua shtetasit Rr.D. që t’i jepte paratë që i detyrohej. Nga ana tjetër, po për çështje kromi, konkretisht për një galeri kromi, viktima kishte pasur debate edhe me shtetasin me iniciale I.C. Burimet thanë se të dy këta persona janë përmendur nga vëllai i viktimës, si të vetmit, me të cilët Iliaz Çali kishte konflikte. Sa i përket mbrëmjes së të dielës kur ndodhi vrasja, vëllai i viktimës ka reguar se ka qenë duke pirë kafe me të deri në orën 22:00 dhe më pas Ilazi është nisur për në shtëpi. Madje ai ka treguar se gjatë kohës që pinin kafe, i vëllai ka debatuar vazhdimisht ne telefon me një person.