Zbulohet 53 kg kokainë në anijen me qymyr në Portin e Durrësit, vinte nga Kolumbia
Një tjetër sasi kokainë, që vinte nga Kolumbia, është zbuluar mëngjesin e sotëm në Portin e Durrësit. Kësaj radhe droga është gjetur e fshehur mes thasëve të qymyrit, brënda një anije me flamur të Antigua Barbuda nga ishujt e Karaibeve, me kapiten një shtetas rus. Anija “Unistream”, ka mbërritur në Portin e Durrësit të hënën, në orën 08:32, ndërsa kontrolli ka nisur mëngjesin e sotëm, ku deri tani janë zbuluar më shumë se 53 kg kokainë. Anija ishte e ngarkuar me 6500 ton qymyr dhe Policia ende nuk ka mbyllur aksionin në port, pasi po kontrollohet e gjithë sasia e qymyrit, për të parë nëse fshihet aty sasi tjetër kokaine apo jo.
Nga të dhënat e deritanishme rezulton se anija “Unistream”, me flamur të Antigua Barbudas ishte nisur nga Porti i Montrealit të Kanadasë më 24 mars. Më pas ka kaluar në Portin Baie Comeau, pot të Kanadasë më 4 prill dhe më 16 prill rezulton të ketë kaluar në Port-au-Prince të Haitit dhe nga aty në Portin Barranquilla të Kolumbisë më 23 prill. Nga Kolumbia ka mbërritur në Portin e Durrësit dje, më datë 16 maj. Burimet thanë dje se nga verifikimet paraprake, rezulton se garkesa me qymyr është porositur nga një kompani kromi shqiptare, për të cilën ende nuk dihet nëse ka lidhje me drogën. Aktualisht në Policinë e Durrësiot po mbahen të shoqëruar të gjithë anëtarët e ekuipazhit të anijes, përfshi edhe kapitenin rus. Ende nuk ka persona të arrestuar në lidhje me këtë sasi droge. Ndërsa aksioni po vijon, duke kryer kontrolle me qen antidrogë.