Atentati mafioz në Sukth, ekzekutohet në dyqanin e tij Arben Mëkuri, e shkuara e 48-vjeçarit me dy mbiemra
Një 48-vjeçar mbeti i vrarë mbrëmjen e sotme në Sukth të Durrësit. Viktima, i cili njihet me dy mbiemra, është Arben Mërkuri (Ismaili) dhe sipas Policisë ka pasur me problem me ligjin në të shkuarën. Ngjarja ndodhi rreth orës 20 e 30 kur 48-vjeçari Arben Mërkuri Ismaili ndodhej në dyqanin e tij në qendër të Sukthit. Edhe pse në atë orë rruga ka qenë me njerëz dhe zona ka shumë kamera autorët nuk ngurruan të afrohen tek dyqani dhe të qëllojnë në drejtim të objektivit të tyre. Burime thanë se autorët kanë qëlluar nga brenda një automjeti fuoristradë “Benz”, me ngjyrë të zezë. Nga breshëria e automatikut 48-vjeçari mbeti i plagosur rëndë dhe ndërroi jetë disa minuta më vonë në spital. Për zbardhjen e ngjarjes policia është orientuar tek e shkuara e Arben Mërkurit, i cili njihej në zonë edhe me pseudonimin “Maneci”.
Informacioni paraprak i Policisë së Durrësit
Në qendër të Sukthit, një shtetas ende i paidentifikuar ka qëlluar me armë zjarri automatik, në drejtim të dyqanit të shtetasit A. M.(I.), 48 vjeç.Për pasojë shtetasi A. M.(I.) u plagos në gjendje të rëndë dhe si pasojë e plagëve të marra ndërroi jetë në spital. Shërbimet e Policisë kanë rrethuar zonën dhe vijon krehja e saj, për te bërë të mundur kapjen e autorit.Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ndodhet në vendngjarje dhe po punon për fiksimin e çdo prove të vlefshme që do t’i shërbejë hetimit, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit.
Emri i 48-vjeçarit është i njohur nga policia, pasi ka qenë një person me precedent penal dhe dyshohet për krime kundër personit dhe për vrasje me pagesë. Kjo e fundit e pa dokumentuar. Gjithashtu, 48-vjeçari dyshohet që mund të ketë marrë pjesë në dhunimin e biznesmenit libanez, Faadi Mitri pranë kryqëzimit të Laknasit, pasditen e 10 shtatorit 2016 për shkak të investimit që po kryente në zonën e Gjirit të Lalzit. Për dhunimin e biznesmenit në atë kohë u arrestuan tre persona, Skënder Krahja, Landi Muharremi dhe Arben Mërkuri, të tre nga Shijaku. Po ashtu mësohet se “Maneci” ishte shok me Landi Muharremin ose i njohur si “Rrumi i Shijakut”.