Gjykata e Tiranës “liron” 5 milionë euro
Rreth 5 milionë euro pasuri që ishte vënën nën sekuestro nga Prokuroria në janar të këtij viti, tashmë do u kthehen dy vëllezrëve, që sipas akuzës ishin të dyshuar për përfshirje në aktivitete kriminale. Gjykata e Tiranës, ditën e premte rrëzoi kërkesën e Prokurorisë për sekuestrimin e shumës prej 5 milion euro të vëllezërve Sokol dhe Elson Marku, duke vendosur pushimin e çështjes. Në Gjykatën Penale të Tiranës u zhvillua seanca paraprake nëse çështja do kalonte apo jo për gjykim, por përveç rrëzimit të kërkesës së prokurorisë, gjykata vendosi edhe pushimin e hetimeve për këtë çështje, duke urdhëruar heqjen nga sekuestro, të pasurive të familjes Marku.
Gjatë operacionit që u zhvillua në janar të këtij viti, u vendos sekuestro për 18 automjete, 3 njësi sipërfaqe toke, 2 apartamente, 2 ndërtesa banimi, 2 ambiente bar-kafeje, 1 ndërtesë trekatëshe, me një vlerë të përafërt rreth 5 milion euro, disa prej tyre të përfituara nga dhënia e parave me fajde (konkretisht një bar-kafe, një vilë trekatëshe dhe 18 automjete Porsche, BMW, Mercedes dhe Audi), ndërsa pjesa tjetër e pasurive dyshohet se është përfituar nga aktivitetit kriminal në fushën e narkotikëve.
Sokol Marku dhe vëllai i tij Elson Marku, nga viti 2008 deri në vitin 2015, kanë përfituar transferta në vlera monetare të larta nga disa vende të BE, si Italia, Belgjika, Spanja, Suedia, Zvicra, Greqia dhe Franca. Sipas dosjes së Prokurorisë, rezultonte se aktiviteti i tyre kriminal duket se ka qenë i shtrirë në disa vende të Bashkimit Europian. Paratë ata i investonin në blerjen dhe tregtimin e makinave. Nga muaji mars i vitit 2011 deri në mars të vitit 2015, Sokol Marku ka kryer 30 transferta me vlerë totale 12.316 euro, nga persona të ndryshëm. Nga korriku i vitit 2014 deri në gusht të vitit 2015, ka dërguar 1.127 euro në favor të tre personave të afërt të tij drejt Italisë, Belgjikës, Spanjës dhe Suedisë. Ndërsa Elson Marku, nga data 7 korrik deri në datën 14 korrik ka përfituar dy transferta, njëherë 1.633 franga zvicerane dhe një herë tjetër 48.235 franga.