
Supergrabitësit të Rinasit i sekuestrohen 5 milionë euro pasuri

Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan Ardian Çipa, së bashku me prokurorin e Rrethit Gjyqësor Elbasan Kreshnik Ajazi dhe prokurorin e çështjes Xhelian Seferi, dolën sot në një konferencë për shtyp për finalizimin e operacionit policor të koduar “Illegal assets”. Operacioni u zhvillua nga Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për sekuestrimin e pasurive që rrjedhin nga veprimtaria kriminale. Çipa deklaroi se ishin sekuestruar pasuri të ndryshme, me vlerë rreth 5 milionë euro.
Në kuadër të hetimeve pasurore për persona të dyshuar si anëtarë të grupeve kriminale, për pasuri dhe asete që dyshohen se i kanë burimet nga veprimtaria kriminale, bazuar në materialin procedural të referuar nga Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan në Prokurorinë e Rrethit Elbasan, gjatë vitit 2021 dhe në vijim, është finalizuar operacioni policor i koduar “Illegal assets” dhe është bërë sekuestrimi i pasurive në emër të shtetasve Gentian Sharra dhe Mustafa Sharra.
Gentian Sharra, 48 vjeç, banues në Elbasan, i dënuar më parë, me aktivitet kriminal në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike, i dyshuar për grabitjen e një sasie të madhe parash në Rinas, si dhe i arrestuar në kuadër të operacionit policor “Golden bullet”.
Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, në kuadër të veprimeve hetimore, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, me vendimin e datës 09.06.2022, ka caktuar masën e sigurimit pasuror “Sekuestro”, për pasuritë e paluajtshme dhe të luajtshme në pronësi të shtetasit Gentian Sharra dhe të babait të tij, shtetasit Mustafa Sharra.
Nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Elbasan, në zbatim të vendimit të Gjykatës, u sekuestruan:
-1 vilë luksoze në lagjen Katund i Ri, Elbasan, biznes fason dhe tokë arë;
-Truall dhe ndërtesë, me sipërfaqe 120 m2, në lagjen Katund i Ri, Elbasan, në pronesi të Gentian Sharra;
-Tokë arë me sipërfaqe 15680 m2 dhe ndërtesë me sipërfaqe 119.8 m2, në lagjen Katund i Ri, Elbasan, në pronësi të shtetasve Mustafa Sharra dhe Gentian Sharra;
-Tokë arë me sipërfaqe 3533 m2, në lagjen Katund i Ri, Elbasan, në pronësi të Mustafa Sharra dhe Gentian Sharra;
-Pasuri tokë arë me sipërfaqe 4170 m2, në lagjen Katund i Ri, Elbasan, në pronësi të Gentian Sharra;
-Pasuri tokë arë me sipërfaqe 4050 m2, në lagjen Katund i Ri, Elbasan, në pronësi të Mustafa Sharra.
-Pasuri tokë arë me sipërfaqe 3533 m2, truall me sipërfaqe 208.1 m2 dhe ndërtesë, në lagjen Katund i Ri, Elbasan, në pronësi të Gentian Sharra.
-Pasuri tokë arë me sipërfaqe 394 m2, në lagjen Katund i Ri, Elbasan, në pronësi të Mustafa Sharra dhe Gentian Sharra.
Gjithashtu janë sekuestruar 4 automjete në pronësi të shtetasit Gentian Sharra dhe të familjareve të tij.
“Vijon puna për evidentimin e të gjitha pasurive dhe për dokumentimin e plotë ligjor të tyre, në zbatim të ligjit Nr. 10192, datë 03.12.2009 ‘Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave prarandaluese kundër pasurisë’. Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan dhe me agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit, vijon punën intensive për gjurmimin, evidentimin dhe sekuestrimin e çdo pasurie që rrjedh nga veprimtaria kriminale. Gjithashtu siguroj qytetarët se strukturat e Policisë së Elbasanit, me mbështetjen e strukturave operacionale në Polciinë e Shtetit, po vijonjnë kontrollet në të gjithë qarkun, me qëllim kapjen e personave në kërkim, atyre që qarkullojnë me armë zjarri apo tentojnë të kryejnë veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve. Në këtë kuadër u zhvilluan edhe kontrollet e mbasdites së djeshme, nga forcat policore. Ftoj qytetarët që të mbështesin akoma më shumë strukturat policore adhe ato të zbatimit të ligjit dhe të denoncojnë çdo paligjshmëri në numrin pa pagesë 112 dhe Komisariatin Dixhital, duke iu siguruar anonimat të plotë dhe reagim që menjëhershëm e të panashëm”, u shpreh drejtori i Policisë së Elbasanit, Ardian Çipa.
Dy të penduar të drejtësisë, Nuredin Dumani dhe Henrik Hoxha nga qelia, kanë zbërthyer vrasjet nga grupet e organizuara kriminale të një dekade nga viti 2011 deri në 2022-shin. Me vendim nga Gjykata Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit u lëshuan 32 urdhër arreste, nga të cilat 18 u ekzekutuan nga policia (prej të cilave 9 masa iu komunikuan persona të arrestuar për vepra të tjera penale), ndërsa 14 janë ende në kërkim. Operacioni i koduar “Golden bullet” ka nisur menjëherë pas arrestimit të shumë të kërkuarit Nuredin Dumani, i cili u arrestua gjatë operacionit policor të koduar “Arratia”. Mes të arrestuarve ishte edhe emri i Gentian Sharrës, pas të cilit lidhen një seri grabitjesh që nga viti 2011 e deri tek grabitja e milionave në Rinas. Ndërkohë bashkëshortja e tij, O.Sharra rezulton pronare e kompanisë që ka fituar një kontratë të majme me Spitalin Psikiatrik “Sadik Dinçi” në Elbasan. Bëhet fjalë për një kontratë 11 217 107 lekëshe, për “Shërbim gatimi dhe shpërndarje ushqimi për Spitalin Psikiatrik. Burimi i financimit është direkt nga Buxheti i Shtetit, ndërsa procedura e prokurimit është zhvilluar më 27 mars të vitit 2020.
Emri i Gentian Sharrës u bë i njohur për drejtësinë dhe mediat në hetimet e grabitjes së Rinasit. Ai mori me qira asokohe servisin ku u modifikua furgoni që u përdor më pas për grabitjen në aeroport. Servis “Genti”, i cili ndodhet në rrugën e vjetër Elbasan-Rrethrrotulimi i Bradasheshit, aty ku dyshohet se u modifikua enkas për grabitjen furgoni me mbishkrimin “Hetimi Tatimor” është bllokuar asokohe nga policia si provë metariale. Mësohet se oficerët e policisë kanë sekuestruar prej andej kamerat e sigurisë, ndërkohë që pronari i servilit, Gentian Sharra, ka konfirmuar se servisin ia kishte dhënë me qira shtetasit Eldi Çala. Nga dosja e SPAK mësohet se Gentian Sharra është akuzuar si organizator dhë bashkëpunëtor i disa grabitjeve. Gentian Sharra cilësohet edhe si mik i ngushtë me Talo Çelën të cilët sëbashku akuzohen si autorë të disa ngjarjeve kriminale. Në vitin 2013 ai ka qenë pjesë e grabitjes së ndodhur të Hamit Haxhias. Sharra bashkë me Talo Çelën pretendonin se do grabisnin një shumë prej 200 mijë eurosh, ndërsa në këtë grabitje pjesëmarrës ishte edhe Nuredin Dumani.