Sherr për parkingun, vret me grushta mësuesin
Dy familje të shkatërruara, një viktimë dhe një i burgosur për shumë vite. Ky është bilanci i sotëm i një sherri banal “alla shqiptarce” në Tiranë.
Nëse shqiptarët i vjedh, i denigron, i lë pa energji, pa ujë, pa shëndetësi, pa prespektivë, papunë etj janë të vetëpërmbajtur, por kur vjen puna për një fjalë goje, një parking makine, një shikim qëndron si trimat dhe të vret.
Sa për kronikë po ju tregojmë se çfarë ka ndodhur sot në mes të Tiranës për një vend parkimi.
Një 56-vjeçar, me profesion mësues, u vra me grushta nga një fqinj i tij, vetëm pse guxoi të mbronte një grua.
Gjithçka nisi kur Nikolin Staka, me origjinë nga Laçi, por banues në Tiranë, dëgjoi një sherr poshtë pallatit të tij.
Nga kati i dytë i banesës, mësuesi që kishte jetuar edhe në Belgjikë, pa shtetasin Alban Meneri që po debatonte me një grua për shkak të një parkimi.
“Si nuk të vjen zor që zihesh me grua,” i ka thënë 56-vjeçari Staka.
Por 51-vjeçari Meneri e ka thirrur të zbresë poshtë. “Hajde se ta tregoj unë,” ka qenë sfida.
Sapo Staka ka zbritur poshtë, është përballur me furinë e grushtave nga ana e Menerit. Ky i fundit e ka goditur kryesisht në fytyrë dhe qafë, duke i shkaktuar plagë të rënda në fyt.
Pas sherrit, Meneri është larguar, kurse Staka është kthyer në banesë, ku ka gjetur vdekjen nga hemorrgjia.
Policia më pas ka arrestuar autorin e ngjarjes.