Fshehje pasurie e falsifikim, SPAK çon në gjyq anëtaren e KPK Etleda Çiftja
SPAK dërgon për gjykim gjyqtaren e KPK Etleda Çiftja, të akuzuar për fshehje pasurie dhe falsifikim. Në përfundim të hetimeve paraprake, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, ka vendosur të dërgojë për gjykim procedimin penal nr. 202 të vitit 2021 në ngarkim të të pandehurës:
Etleda Çiftja, e akuzuar për kryerjen e veprave penale të “Falsifikimit të dokumentit“, në formën e përdorimit, parashikuar nga neni 186 paragrafi i parë i K.Penal dhe “Refuzim për deklarimin, mosdeklarimin, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nënpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për deklarim”, parashikuar nga neni 257/a paragrafi i dytë i K.Penal. Nga hetimet e kryera ka rezultuar e provuar tej dyshimit të arsyeshëm se e pandehura Etleda Çiftja, në deklaratën me nr 14568 indeksi, datë dorëzimi 17.07.2017, ka kryer deklarim të rremë te pasurise, e konkretisht në lidhje me burimin e blerjes së apartamentit të banimit, te dy parcelave tokë arë me sip 1450 m2 dhe me sip 3440 m2, mënyrën e fitimit të pronësisë për dy sipërfaqet e tokave arë si dhe në lidhje me qëllimin e marrjes së një kredie pranë ish Banka Emporiki – Shqipëri sh.a. Gjithashtu e pandehura Etleda Çiftja, ka dorëzuar pranë ILDKPKI, një kontratë me përmbajtje të falsifikuar, referuar çmimit të pasqyruar në të, provuar tej çdo dyshimi të arsyeshëm, pasi kjo kontratë nuk përputhet me atë të gjendur pranë arkivës së zyrës noteriale ku është përpiluar dhe pranë ASHK-së në momentin e regjistrimit të pasurisë për të cilën është lidhur kjo kontratë. Gjithashtu kjo kontratë përmban të dhëna të rreme edhe në lidhje me vetë veprimin e pasqyruar në të, pra shitje blerjen e parcelës tokë arë.
Etleda Çiftja eshte diplomuar “Jurist” në vitin 1999 në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës. Çiftja është juriste me më shumë se 16 vjet eksperiencë, kryesisht në sektorin e ndërtimit, pronave, kuadrit rregullator për lejet dhe licencat në fusha të ndryshme të ligjit. Ka kryer trajnime të shumta ndërkombëtare në fushën e lidershipit/menaxhimit; hartimit dhe negocimit të kontratave; auditimit të përputhshmërisë me etikën dhe të antikorrupsionit. Ajo mban titullin “Avokat” që nga viti 2001. Karrierën e saj, znj. Çiftja e ka nisur si ndihmëse ligjore në një zyrë avokatie. Për periudhën 2001- 2009, znj. Çiftja ka punuar pranë kompanisë greke “Egnatia O.Albania”, pjesë e grupit të kompanive greke “Egnatia Group of Companies” , në pozicionin e këshilltares së përgjithshme/drejtores ligjore dhe rregullatore për zbatimin e projektit të përhapjes së rrjetit të telefonisë celulare “AMC”, në fushën e telekomunikacionit. Për periudhën 2009- 2017, juristja Çiftja ka punuar pranë shoqërisë së mirënjohur norvegjeze “Statkraft AS” për filialin e krijuar prej saj në vendin tonë, “Devoll Hydropoëer sh.a.”. Në këtë kompani, znj. Çiftja ka mbajtur disa pozicione të rëndësishme drejtuese dhe menaxheriale, si këshilltare e përgjithshme/drejtore ligjore për Shqipërinë, drejtuese për përputhshmërinë me Kodin e Etikës, si edhe anëtare e bordit menaxhues të shoqërisë. Pas 8 vitesh në funksione të ndryshme pranë kësaj kompanie, znj. Çiftja u zgjodh në qershor 2017 nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë në postin e Komisioneres pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.